10 universitetet më të mira në botë, Universiteti i Masaçusetit mban vendin e parë
Për të trembëdhjetin vit radhazi, Instituti i Teknologjisë i Masaçusetit (MIT – o. Massachusetts Institute of Technology) renditet si institucioni i arsimit të lartë më i mirë në botë.
Renditja për vitin 2025 nga Kuakuareli Sajmonds (o. Quacquarelli Symonds) merr në vlerësim 1.500 institucione në 105 sisteme të arsimit të lartë. Faktorët për renditjen përfshijnë reputacionin në punësim, reputacionin akademik dhe raportin e mes studentëve vendës e të huaj.
MIT renditet më i miri në fushat e Inxhinierisë Kimike, Inxhinierisë Civile dhe Strukturore, Shkencat Kompjuterike dhe Sistemet Informatike, Shkencat Analizuese dhe Inteligjenca Artificiale, Inxhinieri Elektrike dhe Elektronike, Gjuhësi, Shkencat materiale, Mekanikë, Aeronautikë dhe Inxhinieri Fabrike, Matematikë, Fizikë dhe Astronomi, si dhe Statistikë dhe Studime Operacionale.
“Nëse dikush do të tregonte historinë e dy dekadave të fundit për arsimin e lartë në botë, Amerika do të mbetej kryesorja – janë disa nga universitetet më të mira në botë, edhe pse po intensifikohet ambicia e fuqive të mëdha aziatike. Ky vit na jep sinjalin më të fortë deri tani se nuk është e thënë që Amerika do e mbajë pozicionin e saj të privilegjuar,” thotë Ben Souter (o. Sowter), një nga drejtuesit e projektit.
Universitetet më të mira në botë për vitin 2025 sipas QS:
- Instituti i Teknologjisë i Masaçusetit (MIT) – 100 pikë
- Kolegji Perandorak i Londrës – 98.5 pikë
- Universiteti i Oksfordit – 96.9 pikë
- Universiteti i Harvardit – 96.8 pikë
- Universiteti i Kembrixhit – 96.7 pikë
- Universiteti i Stanfordit – 96.1 pikë
- Universiteti i Zyrihut, Zvicër – 93.9 pikë
- Universiteti Kombëtar i Singaporit (NUS) – 93.7 pikë
- UCL – 91.6 pikë
- Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë (Caltech) – 90.9 pikë
Në renditjen e fundit SHBA-ja kryeson me 197 institucione të arsimit të lartë mes më të mirëve në botë, ndjekur nga Britania e Madhe me 90 dhe Kina me 71 institucione.
Për vitin 2025, Kolegji Perandorak i Londrës është ngjitur me 4 vende duke u listuar i 2-ti, Universiteti i Oksfordit dhe i Harvardit mbeten në vendin e 3-të dhe të 4-rt, ndërsa Universiteti i Kembrixhit mbyll pesëshen kryesore. /QS