100 banesa të dëmtuara nga tërmeti në Mirditë, Rama: Strehimi social, përgjegjësi e bashkisë
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama kërkoi mbështetje për familjet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.
Në takimin e Kryeministrit Rama me kryebashkiakët, Melyshi tha se në Mirditë janë mbi 100 familje që akoma nuk janë konsideruar për ndërtimin e banesave, për të cilat është ndërprerë edhe bonusi i qirasë.
Kryeministri theksoi se janë dy-tre raste që janë lënë qartësisht në përgjegjësinë e bashkive për të krijuar kushte strehimi social.
“Nuk kanë qenë asnjëherë në një plan të marrë përsipër nga qeveria qendrore, siç u bë plani për tërmetin. Patjetër duhet të bëjmë një diskutim se si mund të ndihmojmë ne pjesërisht bashkinë që të ketë një projekt strehimi social, duke qenë aty dhe duke ditur se kush realisht është dëmtuar nga tërmeti dhe është në nevojë për të”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në këtë drejtim do të punohet për të gjetur një mundësi. “Nuk dua të them gjëra që rezultojnë të pamundura, por të flasim për gjëra realiste që mund të bëjmë”, tha ai.