100 euro për fëmijët e pensionistët- Qeveria e Kosovës shpërndan bonusin e fundvitit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka miratuar vendimin për të ndarë nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.
Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur vendimin tregues të përkujdesjes për të gjithë brezat, por edhe mbajtje të një premtimi të dhënë.
“Kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim, të përfitojnë nga skema, dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro. Mirëpo, planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje duke filluar zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht të përfitojnë më shumë”tha Kurti.
Në lidhje me vendimin që i jep 100 euro çdo pensionisti, ministri i Financave Hekruan Murati, tha se shuma do të nisë të ndahet nga java e ardhshme. Qeveria e Kosovës ndau edhe 40 milionë euro shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa 4 milionë euro i dha për të mbështetur bujqit dhe bizneset për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në shtator të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.