105 vjet nga Kongresi i Lushnjes, Begaj: Shpëtoi vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja
Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi sot Kongresin e Lushnjes, një nga ngjarjet e mëdha të historisë së kombit, ku patriotët shqiptarë, të mbledhur më 21-31 janar të vitit 1920, vulosën aktin e shpëtimit të Shqipërisë nga copëtimi dhe i treguan botës fuqinë e bashkimit dhe të pavarësisë.
Në 105-vjetorin e nisjes së Kongresit të Lushnjes, Presidenti Begaj vlerëson përpjekjet e delegatëve, të cilët dëshmuan aftësi për vetëvendosje, duke vendosur interesat e kombit mbi gjithçka.
“Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese,” – shkruan presidenti.
Presidenti Begaj thekson se delegatët e Kongresit të Lushnjes do të kujtohen gjithmonë me nderim pasi “Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta”.
“Sot, 105 vjet nga Kongresi i Lushnjes, i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja. Më 21 janar të 1920-ës, patriotët shqiptarë u mblodhën në Lushnje për të ringjallur pavarësinë e vendit, për të mbrojtur ëndrrën dhe sakrificën e Kuvendit të Vlorës. Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese. Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta. Shqiptarët do t’i kujtojnë përjetë me nderim të thellë ata”, shkuan Begaj.