105-vjetori i krijimit të Shoqërisë “Vllaznia”/ Kryebashkiaku Benet Beci mirëpret emblemat e sportit shkodran
105-vjetori i krijimit të Shoqërisë “Vllaznia” ka mbledhur bashkë në Bashkinë Shkodër emblemat e sportit shkodran.
Në pritjen e organizuar nga kryebashkiaku, Benet Beci, morën pjesë përfaqësues nga të gjitha disiplinat, duke nisur nga futbolli, basketbolli, peshëngritja, çiklizmi apo edhe disiplina të tjera ku Vllaznia vazhdimisht ka nxjerrë kampionë.
Fjala e mirëseardhjes në këtë ceremoni u mbajt nga ish-sportisti dhe kryetari i Këshillit Bashkiak Shkodër, Oltion Luli.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci e vlerësoi datën 16 Shkurt, një datë të shënuar me gërma të arta në historinë e sportit shkodran dhe atij shqiptar.
Të pranishmit kërkuan, që vitin e ardhshëm , në Shkodër të hapet muzeu i sportit, kërkesë kjo që u mirëprit nga kryebashkiaku Beci. Ndërkohë, u kërkua dhe krijimi i më shumë terreneve sportive për të rinjtë.
Figurat emblematike kuqeblu, Sabah Bizi dhe Faruk Kalleshi kanë vlerësuar këtë datë të rëndësishme për klubin Vllaznia.
105 vite më parë, të rinjtë shkodranë do të krijonin Shoqërinë “Vllaznia”, çka shënon edhe krijimin e të parit klub sportiv në Shqipëri. Në 100- vjetorin e krijimit të Vllaznisë, ky klub u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” , për kontributin dhe emrat e spikatur në fushën e sportit gjatë aktivitetit të këtij klubi . Vllaznia, një emër i skalitur në historinë e një qyteti si Shkodra, djep i sportit shqiptar , ka qenë pjesë e kësaj pritje në 105- vjetorin e klubit më të vjetër në Shqipëri.