111-vjetori i Pavarësisë, Begaj: Politika e sotme të marrë shembull nga akti i etërve themelues
Presidenti i vendit Bajram Begaj ka deklaruar nga Vlora se shembulli i etërve themelues të shtetit shqiptar duhet të shërbejë si model për atë që duhet të bëjnë sot liderët politikë.
Pas ceremonisë dhe vendosjes së kurorës me lule në varrin e Ismail Qemalit Begaj shkroi në profilin e tij në Facebook, se Dita e Flamurit është simboli përbashkues për shqiptarët.
Ai nënvizoi se sot Shqipëria është e pavarur në sajë të mençurisë dhe guximit të patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë.
“Dita e Flamurit, si simboli më përfaqësues e më përbashkues i kombit, është festa më e bukur e shqiptarisë.
Sot jemi shtet i pavarur në sajë të mençurisë, guximit dhe vendosmërisë së patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë në emër të dashurisë për atdheun dhe kombin, në emër të dashurisë për këtë flamur, në emër të lirisë. Liria sjell përgjegjësi”, shkruan Begaj.
Për këtë arsye ai vë në dukje më tej që ky akt patriotëve shqiptarë të shërbejë si shembull për të çuar përpara proceset demokratike të vendit.
“Le te na shërbejë modeli frymëzues i etërve themelues, të cilët dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë e të pavarur, si udhërrëfyes në çdo punë që bëjmë për vendin dhe për shqiptarët.
Të udhëhiqemi nga qëllime të larta, më i larti prej të cilëve është mbrojtja e vlerave të paqes, demokracisë dhe prosperitetit të Shqipërisë”, shkruan më tej Begaj, ndërsa jep edhe një urim për të gjiithë shqiptarët “në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe kudo në botë: Gëzuar Festën e Pavarësisë!”