111-vjetori i themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 4 tetorin e vitit 1913 kur u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë.
Pas afro pesë shekujsh robërie, populli shqiptar shpalli Pavarësinë e tij Kombëtare. Kjo ishte një kthesë e rëndësishme në historinë e tij, e cila pati një rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm dhe të shpejtë politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Megjithë gjendjen tepër të vështirë në të cilën ndodhej, Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit mori një sërë masash për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Politika ekonomike e qeverisë së Ismail Qemalit pati si qëllim t’i vinte në ndihmë sipërmarrjes shqiptare e cila ishte në hapat e parë të saj. Në kuadrin e këtyre masave një rol të veçantë do të luante bashkëpunimi i saj me shtetet e fuqishme perëndimore, për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Më 4 tetor 1913 përfundoi Marrëveshja e qeverisë së Ismail Qemalit, për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein, që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit bankar italian.
“E them me lavdurim se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike”, ka deklaruar Ismail Qemali në një fjalim të mbajtur në Vlorë.
Mirëpo banka veproi për një kohë shumë të shkurtër. Kjo, jo për faj të qeverisë shqiptare, por për shkak të zhvillimeve politike që ndodhën me shpërthimin e luftrave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore.