13 mijë gra në vit me virusin e papilomës, 50 mijë kontrolle në katër vite
Çdo grua seksualisht aktive është e rrezikuar të preket nga virusi “Human Papiloma” (HPV), që shkakton kancer të qafës së mitrës, por organizmi edhe i vetëpastron ato.
Kështu e nis intervistën e tij për RTSH, Alban Ylli, sipas të cilit programi kombëtar që depistoi në 4 vitet e fundit rreth 50 mijë gra të moshës 40–50 vjeç për tipat me risk të lartë të virusit zbuloi se çdo vit preken rreth 13 mijë gra.
“Ne kapim viruset që janë persistente, kronike dhe me risk të lartë. Kështu nuk janë më shumë se 5–6% e grave 40–50 vjeç në Shqipëri. Në momentin që në identifikojmë këtë virus, e konsiderojmë gruan më risk të lartë dhe i rekomandojmë vizitë tek gjinekologu. Ato kanë nevojë edhe për një ekzaminim shtesë që është pap-testi, por tani nuk kemi nevojë të depistojmë të gjitha gratë 50–60 vjeç, por vetëm 6% të grave të infektuara me HPV me risk të lartë, i cili ka shanse të shkojë deri në ndryshime qelizore të cilat mund të kapen nga pap-testi,” tregon Alban Ylli, ekspert i programit kombëtar të HPV në Institutin e Shëndetit Publik.
Kanceri i qafës se mitrës në Shqipëri merr vitet më të shëndetshme të jetës.
“Ky është një kancer që kapet në të 50-tat dhe nivelet e riskut janë më të larta 40–60 vjeç, pastaj bien. Në Shqipëri çdo vit kemi rreth 120 raste të reja më këtë kancer dhe rreth 40 vdekje. Kjo incidencë ka filluar të bjerë,” shton z. Ylli.