143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës.
Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit më 18 prill 1881 kundër trupave osmane. Afro 4000 vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish Pashës, me rreth 15 000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës.
Forcat osmane morën Shkupin në fund të marsit dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar Fushë-Kosovën. Forcat shqiptare me Mic Sokolin dhe Ali Ibrën zunë vend afër Shtimes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë. Luftimet u zhvilluan prej 18 deri 20 Prill 1881. Luftëtarët e Lidhjes i thyen më se një herë sulmet e ushtrisë osmane dhe kundërsulmuan disa herë. Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut.
Më 21 prill, shqiptarët, për shkak të epërsisë të armikut, u tërhoqën. Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan luftime në Dukël dhe Suharekë, për të penguar ushtrinë osmane të hynte në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës.