15 vite anëtarësim në NATO, helikopterët britanikë fluturojnë mbi sheshin “Skënderbej”
2024-ra shënon 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një ngjarje kjo që do të shoqërohet me stërvitje ushtarake të përbashkëta me Britaninë e Madhe. Si simbolikë e kësaj, dy helikopterë britanikë fluturuan sot mbi Sheshin Skënderbej, duke bërë kureshtarë dhe qytetarët e rastësishëm të ndodhur atje.
Bashkëpunimi me Britaninë e Madhe konsiderohet i shkëlqyer në fushën e mbrojtjes. Ilir Xhebexhia, Komandant i Forcës Tokësore, tha se përgjatë këtij viti do të zhvillohet stërvitja në shkallë të gjerë e quajtur si “AUSTERE WOLF 24”.
Për Sam Stephens, komandant i Task Forcës – Trupat Amfibe, Shqipëria është jo vetëm aleate e palëkundur por edhe një forcë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Grupi Jugor i Reagimit Bregdetar të Mbretërisë së Bashkuar mbërriti këtë javë në Shqipëri. Grupi përbëhet nga dy anije ndihmëse të Flotës Mbretërore, tre helikopterë Merlin dhe një kontigjent Komandosh të Marinsave Mbretërorë.