16 vjet nga shpërthimi i Gërdecit, ende asnjë i dënuar. Çështja në GJKKO, Mediu i vetmi i pandehur
Kjo e premte (15 mars) shënon 16-vjetorin e shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, aty ku 26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur.
28 të pandehurit e dërguar në gjykatë sot janë liruar nga burgu, ndërsa Struktura e Posaçme Anti Korrupsion vijon hetimet.
Në seancat gjyqësore në GJKKO kanë dëshmuar trashëgimtarë të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia, por po ashtu kanë dëshmuar edhe ish-zyrtarë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtarakë të cilët përcaktuan Gërdecin si vendin e demontimit dhe llojin e municionitnë atë kohë.
Mediu është i vetmi i pandehur për këtë dosje, ku akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Prokuroria e posaçme rihapi çështjen, pas kërkesës së familjes Durda, e cila humbi një fëmijë nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec. Mediu ka mohuar të ketë përgjegjësi për ngjarjen teksa ka deklaruar se ishin strukturat ushtarake ato që thonin fjalën e fundit, dhe se ai nuk kishte ushtruar asnjëherë trysni ndaj tyre.