16-vjetori i Pavarësisë – Bajden uron Osmanin: Kosova dhe SHBA ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden (o. Joe Biden) ka uruar 16 –vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Përmes një letre urimi, drejtuar presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Bajden thekson se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.
“E nderuara zonja Presidente: Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës teksa nderoni Ditën e Pavarësisë tuaj më 17 shkurt. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm – të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale”, thuhet në letrën e presidentit Bajden.
Po ashtu Bajden thekson se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
“Mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm të sigurisë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke qëndruar së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”, theksohet në mesazhin e presidentit Bajden.
Nesër Kosova shënon 16-vjetorin e pavarësisë. Me këtë rast, sheshet e Prishtinës janë dekoruar me flamuj të Kosovës dhe me ata kombëtarë.