Kulturë

1991 / Metallica, Nirvana, Guns’n’Roses dhe viti që ndryshoi Rock-un

Nëse rroku i viteve ’90 kishte një vit-flamur, ai ishte 1991. Viti kishte nisur me Operation Desert Storm në Irak dhe Luftën e Parë të Gjirit, por një “bombardim” jo më pak i rëndësishëm ndodhi disa muaj më vonë. Brenda vetëm 7 javëve, nga mesi i gushtit deri në fillim të tetorit, një seri albumesh dolën në treg, të cilët do të bëheshin jo vetëm më të shiturit e atij viti, por edhe do i jepnin formë dekadës së ardhshme.

Ata ishin “Black Album” i Metallica, “Nevermind” i Nirvana, “Use Your Illusion I” i Guns’n’Roses, “Ten” i Pearl Jam dhe “Blood Sugar Sex Magic”, i Red Hot Chilli Peppers. Të gjithë bashkë, sollën një epokë të re në historinë e rock-ut, të ngjashme me epokën e artë të viteve shtatëdhjetë.

Në fakt, gjërat kishin nevojë për një shkundje të fortë. Hard Rock-u i modës së vjetër po kapej fort pas “karrikes” së vet. Grupet e preferuar të të ashtuquajturve baby boomers, si Van Halen, Bryan Adams, Ozzy Osbourne dhe Scorpions ishin në të gjithë klasifikimet. “Extreme”, një grup funk rock-u nga Bostoni bëri bujë me baladën akustike “More than words”, ndërkohë që grupi nga New Jersey, Skid Row u ngjitën në vendin e parë me albumin e tyre të dytë, “Slave to the Grind”.

Kënga më e dëgjuar e vitit ishte “Bohemian Rhapsody” e Queen. Ishte realizuar në 1976, por ishte rikthyer në skenë pas vdekjes së Freddie Mercury. Dukej sikur, sa më shumë që gjërat ndryshonin, aq më shumë ato mbeteshin njësoj. Por, shumë shpejt një përmbysje do të ndodhte në shumë fronte.

Metallica dhe sidomos Guns’n’Roses ishin tashmë grupe që kishin sjellë hit-e të mëdha, dhe prapa tyre kishin kompani diskografike me peshë. Askush nuk u befasua prej suksesit të tyre. Po kështu, The Red Hot Chilli Peppers, kishin ndërtuar një bazë fansash që në mesin e dekadës paraardhëse, pasi kishin lënë pas varësinë nga droga dhe vdekjen e ish kitaristit, Hillel Slovak.

Por, ajo që po ziente në të vërtetë ishte skena e muzikës Grunge. Pearl Jam, Soundgarden dhe grupi nga Chicago, The Smashing Pumpkins, ishin në pararojë të kësaj lëvizjeje të re. E megjithatë, ishte albumi i dytë i një grupi me tre 20 e ca vjeçarë sarkastikë, që e futi në të vërtetë në hartë muzikën grunge dhe qytetin e Seattle.

Pak njerëz do kishin vënë bast që Nirvana do të bëheshin një prej grupeve më të mira të dekadës, edhe pasi ata kaluan tek kompania diskografike DGC Records. Por kënga e tyre e parë, një hit i mbushur me sarkazmë i quajtur “Smells like teen spirit”, u ngjit menjëherë në majat e hiteve të MTV dhe radiove. Albumi ku ajo bënte pjesë, Nevermind u ngjit dhe ai në majë të renditjeve të të gjithë botës, pas daljes në 24 shtator 1991.

Eshtë e kollajtë të harrosh sot, se shumë gjëra kishin ndodhur në të dy skajet e muzikës. Muzika alternative po futej në radarë me inaugurimin e festivalit të Lollapalooza në korrik, i cili shumë shpejt u bë një histori suksesi befasuese. Kjo edhe falë një serie grupesh si Jane’s Addiction, Siouxsie and the Banshees, Living Colour, Ice-T et.

Gjëra interesante po ndodhnin edhe në skajet e muzikës metal, nga heronjtë brazilianë Sepultura me albumin e tyre Arise deri tek disa të pakënaqur norvegjezë që digjnin kisiha dhe që hodhën themelet e skenës së black metal.

Por të gjitha këto nuk ishin asgjë, në krahasim me shkundjen e madhe që ndodhi në ato shtatë javë të lavdishme në fundin e verës dhe fillimin e vjeshtës. Në fund të vitit, Metallica ua kishin kaluar në shitje albumesh, por Nirvana ishin bërë flamuri përreth të cilit një brez i ri muzikantësh dhe fansash po mblidheshin me shpejtësi. Ndryshimi kishte ardhur, dhe fiks në momentin e duhur. 

RTSH Shkodra

Recent Posts

Kupa e Botës 2026: Ndahen vazot për shortin e kualifikueseve, Shqipëria pozicionohet në vazon 3

Pas përfundimit të ndeshjeve të grupeve të UEFA Nations League, janë ndarë vazot për shortin…

15 hours ago

“Libra të një kohe tjetër” – Ekspozitë historike me tekstet shkollore të periudhës së diktaturës

“Libra të një kohe tjetër” është ekspozita me karakter historik, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti”…

16 hours ago

PL prezanton programin në Shkodër -Blushi: Askush nuk mund të nëpërkëmbë fatet e këtij qytetit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një takim me strukturat…

16 hours ago

Digjitalizimi i xhubletës – Dy vite nga pranimi në UNESCO, veshja e lashtësisë ka sfidat e saj

Xhubleta, kjo veshje që dikur shtrihej në pellgun e Mesdheut, sot ndodhet e ruajtur dhe…

16 hours ago

“Ditët e Mjedës” – Edicioni i XIX i manifestimit artistik, kulturor dhe promovues

Qendra muzeore “Ndre Mjeda” në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore të UNISHK, Bashkinë Vau-Dejës…

16 hours ago

Rrjeti elektrik i amortizuar – Banorët e Samrishit të Poshtëm: Qëndrojmë me orë të tëra pa energji elektrike

Mungesa e energjisë elektrike në fshatrat e njësisë administrative të Dajçit në bashkinë e Shkodrës…

16 hours ago

This website uses cookies.