2 korrik 1990, 34 vite nga rrëzimi i “murit shqiptar të Berlinit”
Sot është 34-vjetori i hapjes së ambasadave për shqiptarët që ishte shenja e parë e lëvizjes antikomuniste të vitit 1990, më 2 korrik.
45 vjet diktaturë, vendi më i izoluar i Europës do të ndiente për herë të parë hedhjen drejtë lirisë për më shumë se 5 mijë shqiptarë të cilët nisën rrugëtimin drejtë të panjohurës.
Një kamion ‘Liaz’ u përplas me murin e kompleksit ku ndodheshin disa ambasada të huaja në Tiranë, duke shkaktuar tronditje në të gjithë Shqipërinë.
Ishte 37 vjeçari Ylli Bodinaku, që ndryshoi historinë e shtetit shqiptar. Një ish i burgosuri politik, i cili rrëzoi me kamion murin rrethues të ambasadës gjermane, duke u futur në oborrin e saj me familjen dhe fëmijët e mitur si dhe 40 persona të tjerë përsipër.
Shembjen e atij muri Ylli e kishte projektuar në ëndrrat e tij më të guximshme, që nuk e thyen prej torturave të Sigurimit të shtetit në Tiranë. Ideja se një ditë ai do t’i binte atij muri e mbajti gjallë më pas në qelinë e burgut famëkeq të Spaçit, ku regjimi e çoi si të burgosur politik.
“Murit nuk i rashë aksidentalisht. As nuk më shtyu dikush. Ishte një urrejtje e brendshme. Në moshën 27 vjeçare u dënova me 10 vjet burg për politikë. Isha i vendosur t’i bija murit. E dija se ecja drejt vdekjes. Muri ishte i lartë dhe i trashë. Shanset ishin shumë të pakta për të shpëtuar.” tregonte me vonë protagonisti Bodinaku.
Gazeta gjermane “Deutsche Ëelle” do të shkruante se “ai u shpëtoi tullave që binin nga muri i rrëzuar vetëm me një plagë të thellë në krahun e majtë, që ia mjekoi një infermiere çeke, të cilën personeli i atëhershëm i ambasadës gjermane në Tiranë e solli enkas për të nga ambasada çeke, përballë.
Kjo ngjarje është gdhendur thellë në kujtesën kolektive të shqiptarëve si një nga pikat fillestare të rënies së qeverisë Alia, fillimi i fundit të një prej regjimeve më shtypëse në historinë moderne evropiane.
“Shqipëria ishte e varfër dhe e rrënuar ekonomikisht, njerëzit shkuan drejt dyerve të ambasadave në Tiranë të cilat iu hapën atyre portën drejt lirisë së munguar” kujtojnë protagonistët e kohës.
Kjo ngjarje është konsideruar si rënia e “Murit të Berlinit” në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore që rrëzoi diktaturën.
Brenda pak ditëve në oborret e ambasadave të Gjermanisë, Francës, Italisë e të Greqisë, ishin strehuar rreth 5.000 refugjatë shqiptarë që kërkonin azil politik.
Më shumë se 3000 prej tyre zgjodhën Ambasadën e Gjermanisë Perëndimore.