20 mediave ruse i ndalohet transmetimi në territorin e Malit të Zi
Autoritetet në Mal të Zi ndaluan transmetimin e përmbajtjes së 20 mediave ruse, përfshirë Shërbimin e Ballkanit të RT-së ish-Russia Today dhe Sputnikun.
Me këtë vendim, Podgorica zyrtare vazhdon të harmonizohet me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, përkatësisht me masat e BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Të gjithë transmetuesit u urdhëruan t’i ndërpresin programet e mediave ruse dhe të pezullojnë çdo marrëveshje për transmetimin ose shpërndarjen e përmbajtjes së tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve do të dënohet me gjobë deri në 40 mijë euro, sipas Agjencisë për Media Elektronike në Mal të Zi. Ndërsa Delegacioni i Bashkimit Evropian në këtë vend e përshëndeti përafrimin me politikën e jashtme të bllokut, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cilësoi veprimin e Podgoricës zyrtare si “armiqësor”.
“Këto veprime armiqësore nuk do të kalojnë pa një përgjigje asimetrike”, tha ajo.
RT Balkan dhe Sputnik thanë se vendimi i autoriteteve në Mal të Zi është i turpshëm.