20 shkurt, Dita e Kujtesës Kombëtare – Rithemelimi fton qytetarët në protestë
Sot përkujtohet 33-vjetori i rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, një ngjarje kjo që ndikoi në rënien e regjimit komunist e që u nxit nga greva e urisë së studentëve.
E mërkura e 20 shkurtit 1991 do të gjente shumë qytetare të mbledhur për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.
Duke qenë një nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri, rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës ndodhi në një situatë të renduar politike në vend, ku kishte vetëm dy muaj që ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri në 31 mars 91.
Revolta popullore kishte nisur qysh me protestat e studenteve më fund të dhjetorit për tu shpërndarë më pas në çdo qytet të vendit.
Rrëzimi i busteve të diktatoreve komuniste kishte nisur në Shkodër me rrëzimin e bustit të Stalinit dhe po shpërndahej me shpejtësi në gjithë vendin me rrëzimin e busteve të Enver Hoxhës.
Në këtë 33-vjetor, opozita, nën sloganin “o sot o kurrë“ ka lajmëruar një protestë duke ftuar kështu qytetarët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.