2023 – viti i turizmit, Rama: 10,1 mln vizitorë të huaj, thyem parashikimet
Turizmi ishte kryefjala e vitit 2023, me një rekord vizitorësh që e panë Shqipërinë si një destinacion tërheqës për pushime, por edhe për evente historike, sportive e kulturore.
Shifrat zyrtare tregojnë se 10,1 milionë turistë e vizituan vendin gjatë periudhës janar–dhjetor 2023, 35% më shumë sesa një vit më parë (7,5 mln në 2022).
Të dhënat optimiste i përmendi edhe kryeministri Edi Rama me një postim në rrjetet sociale.
“Dhe me këtë kartolinë shifrash të vitit më fantastik për turizmin shqiptar, ku shënuam rekordin e 10,1 milionë vizitorëve të huaj që e shijuan Shqipërinë tonë nga janari në dhjetor të vitit 2023 duke na “thyer” parashikimet në mënyrën më surprizuese, ju uroj një ditë të mbarë,” shkroi kreu i qeverisë në Facebook.