2024 viti i pyjeve/ ADZM Shkodër pranon fenomenin e prerjes së paligjshme ndër vite
Pak ditë më parë Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro nga Shkodra bëri të ditur se viti 2024 do të shpallet nga qeveria shqiptare si viti i pyjeve. Ky vendim vjen si një masë për të mbrojtur edhe më shumë pyjet të cilat më pas mund të na kthehen në një kërcënim të madh nëse nuk trajtohen siç duhet. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër Agim Dardha tregon se në muajin Dhjetor do të nisë pyllëzimi i sipërfaqeve të zhveshura.Titullari i Administratës së Zonave të Mbrojtura pranon se ndër vite ka ekzistuar fenomeni i prerjes së paligjshme të pyjeve, ku si shkak i kësaj janë dëmtuar sipërfaqe të tëra me pyje, ndihmuar edhe nga faktorët atmosferik në disa raste. Sipërfaqja e pyjeve në Qarkun e Shkodrës është 170 mijë hektarë ku pjesën më të madhe të saj e zë Parku Kombëtar i Alpeve, si Raza, Boga e Thethi, pa lënë pas edhe Malin e Taraboshit.