2030, Portugalia kundërshton “afatet fikse” për zgjerimin e BE-së
Qeveria e Portugalisë mendon se vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian duhet të plotësojnë kushtet dhe të shpresojnë që vetë institucionet e BE-së të jenë reformuar para se të vijë zgjerimi i shumëpritur.
Ministri portugez për Çështjet Europiane, Tiago Antunes, të mërkurën doli kundër deklaratës së presidentit të Këshillit Europian, Sharl Mishel (o. Charles Michel), që zgjerimi të ndodhë brenda vitit 2030.
“Të vendosësh afate të sakta nuk është gjëja e duhur. Procesi i zgjerimit bazohet në meritat e kandidatëve dhe në vlerësimin e kapacitetit të tyre për të përmbushur kriteret e Kopenhagës.
Është absolutisht prioritet, që për arsye gjeopolitike ka marrë rëndësi si për vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë pritur gjatë, edhe për trion Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji,” tha sekretari i shtetit portugez, Antunes.
Si Berlini, edhe Parisi kanë vendosur 2030-tën si afat final për zgjerimin me kushtin që BE-ja të kryejë më parë reformat institucionale – një prej tyre është zmbrapsja nga kërkesa e unanimitetit në vendimmarrje.
Ministri Antunes tha se vendimmarrja do të vështirësohet kur BE-ja të ketë 35 apo 36 anëtarë, sepse “edhe me 27 që janë tani është e vështirë”.