24 janari, Dita Ndërkombëtare e Arsimit
Kombet e Bashkuara dhe UNESCO e kanë shpallur 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit. “Arsimi është një e drejtë e njeriut, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike”, shkruhet në faqen zyrtare të OKB e cila këtë 24 janar ia ka dedikuar rolit të arsimit në drejtim të paqes dhe zhvillimit.
UNESCO vë theksin tek roli vendimtar që arsimi dhe mësuesit luajnë në luftën kundër gjuhës së urrejtjes, një fenomen i cili është shtuar ndjeshëm me përdorimin e mediave sociale, duke dëmtuar strukturën e shoqërive tona.
E drejta për arsim është e sanksionuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata bën thirrje për arsim fillor falas dhe të detyrueshëm. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar në vitin 1989, shkon më tej duke përcaktuar se vendet duhet ta bëjnë arsimin e lartë të aksesueshëm për të gjithë.
Arsimi u ofron fëmijëve një shkallë për të dalë nga varfëria dhe një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese. Por rreth 244 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë jashtë shkollës; 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk mund të lexojnë dhe as të kryejnë veprimet bazë matematikore.
OKB thekson se, pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur.