24 sulme ndaj forcave amerikane gjatë ditëve të fundit në Irak dhe Siri

457dc7536a2545a0ac20562bce2114eb

457dc7536a2545a0ac20562bce2114eb

Forcat amerikane në Irak dhe Siri janë sulmuar me dronë dhe raketa të paktën 24 herë gjatë ditëve të fundit, përfshirë tre sulme të hënën, thanë zyrtarët amerikanë të mbrojtjes, njofton Radio Zëri i Amerikës.

Të paktën pesë nga këto sulme janë bërë pasi forcat amerikane goditën dy objekte në Sirinë lindore që përdoreshin nga Garda Revolucionare e Iranit dhe grupet bashkëpunëtore gjatë orëve të mëngjesit të së premtes.

Asnjë nga sulmet e kryera që nga goditjet ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara të premten nuk ka shkaktuar viktima apo dëme, sipas zyrtarëve të mbrojtjes.

Gjatë sulmit të fundit të hënën u përdorën disa raketa për të goditur bazën ajrore al-Asad në Irakun perëndimor, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i mbrojtjes në kushte anonimiteti për shkak të aspekteve të sigurisë.

Sulme të tjera me raketa u bënë kundër forcave në zonën e gjelbër dhe në zonën e mbështetjes së misionit “Euphrates”, në Siri.

Të dielën, një dron sulmoi forcat amerikane në një bazë afër al-Shaddadit në Sirinë verilindore dhe të enjten një tjetër dron sulmoi forcat amerikane dhe të koalicionit në bazën ajrore al-Asad në Irak, thanë zyrtarët amerikanë.

Sekretari i Shtypit i Pentagonit, Gjeneral Brigade Pat Ryder dhe zyrtarë të tjerë kanë fajësuar grupet e mbështetura nga Irani për sulmet pothuajse të përditshme ndaj forcave amerikane.

“E dimë se këto janë grupe paraushtarake të mbështetura nga Irani, dhe sigurisht që e mbajmë Iranin përgjegjës për këto grupe”, tha zoti Ryder javën e kaluar.

Zyrtarët kanë ngritur shqetësime në lidhje me perspektivën e një “përshkallëzimi më domethënës” në rajon nga grupet iraniane.

“Përhapja në Siri nuk është vetëm një rrezik; tashmë ka filluar”, tha Geir Pedersen, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën nëpërmjet një video-konference.

Sulmet që nga 17 tetori ndaj forcave amerikane dhe të koalicionit kanë rezultuar në 17 lëndime të lehta të amerikanëve në Siri dhe në katër lëndime të lehta të personelit amerikan në Irak, ndërsa zyrtarët amerikanë vazhdojnë të monitorojnë për goditje të mundshme traumatike të trurit tek ushtarakët e lënduar.

Të paktën 19 sulme ndaj forcave amerikane në Irak dhe Siri ndodhën midis 17 tetorit dhe 26 tetorit, sipas Pentagonit.

Rreth 900 ushtarakë janë dislokuar nga Shtetet e Bashkuara në rajonin e Lindjes së Mesme, ose janë në proces dislokimi, me qëllim rritjen e masave mbrojtëse. Ndër njësitë janë ato THAAD të mbrojtjes në lartësi të mëdha, të nisura nga baza ushtarake Fort Bliss; njësitë e raketave Patriot të nisura nga baza Fort Sill, si dhe njësi të tjera Patriot dhe Avenger të nisura nga baza Fort Liberty.

Këto zhvillime vijnë ndërsa Sekretari Austin pati vendosur në gatishmëri të lartë më herët këtë muaj mbi 2 mijë ushtarakë, me urdhëra për t’u përgatitur për dislokim të menjëhershëm.

( Sipas Radios Zëri i Amerikës )

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.