25-vjetori i Kushtetutës, Manja: Institucionet të dëshmojnë se janë në lartësinë e misionit kushtetues
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi në fjalën e tij në seancën solemne për 25-vjetorin e Kushtetutës, deklaroi se nga një testament juridik në letër, u kthye në dokumentin më të rëndësishëm për garantimin e të drejtave dhe lirisë së qytetarëve.
Manja theksoi se “Kushtetuta e re i dha shoqërisë shansin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, për t’u garantuar të gjithë iniciativën e lirë e solidaritetit social”.
Ministri u shpreh se në këtë fazë të maturimit të Kushtetutës parashtrohen detyra të rëndësishme për të gjitha legjislacionet shqiptare.
Ai theksoi se detyra e institucioneve është dëshmimi që janë në lartësinë e misionit kushtetues.
“Kushtetuta hodhi hapa të rëndësishëm drejt shekullit të njeriut. Me këtë Kushtetutë, asnjë shqiptari nuk i bëhet pyetja “nga vjen”, por “ku dëshironi të shkoni”.
Kushtetuta të mos mbetej një testament juridik në letër por dokument që gjen zbatim dhe aspiron të zbatohet.
Në këto 25 vite, kemi qenë dëshmitarë se si Kushtetuta është bërë pjesë e retorikës sonë politike, si argumenti më i fortë për të mbrojtur standardet e të drejtave.
Është për tu lëvduar largpamësia e hartuesve të saj, që hartuan dispozitat integruese në Kushtetutë. Ky rrugëtim ka nisur dhe jemi më pranë se kurrë këtij ideali.
Në këtë fazë maturimi të Kushtetutës parashtrohen detyra për të gjitha institucionet shqiptare, legjislativit, ekzekutivit e gjyqësorit, të dëshmojnë që me punën e tyre të përditshme kanë devizën kushtetuese në themel të punës së tyre.
Mbetet detyra jonë të garantojmë balancën e drejtë mes vazhdimësisë së dikton Kushtetuta dhe përballjes së sfidave të kohës.
Duhet që institucionet t’i dëshmojnë kohës që jemi në lartësinë e misionit kushtetues”, u shpreh Manja.