28 Nëntori, Dita e Pavarësisë që bashkon shqiptarët kudo ndodhen

Sot në Shqipëri kujtohet Dita e Pavarësisë. Dita, kur Shqipëria u vetëshpall e pavarur, në Vlorë, më 28 nëntor të 1912-ës, nga Ismail Qemali.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Në këtë 112-vjetor, festohet kudo ka shqiptarë, duke qenë të bashkuar me mendje e zemër rreth flamurit kombëtar.

Data 28, është e veçantë për shqiptarët, duke qenë se në këtë datë, në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike për Shqipërinë. Më 28 nëntor 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj. Kjo datë hapi një faqe të re në historinë e qëndresës shekullore antiosmane. Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti e nënshkroi veten, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve.

469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si “nëntori i dytë”, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë.
28 Nëntori është shpallur gjithashtu ditë festë edhe në Republikën e Kosovës.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke deklaruar “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

Ismail Qemali ishte nisur që më 19 nëntor nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë.

Më 21 nëntor, do të zbarkonte në Durrës prej vaporit të Llojdit austriak “Baron Bruck”. Në këtë qytet u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit.

Por, për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.

Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës.

Një fakt interesant është se Radio Tirana filloi për herë të parë transmetimet e saj më 28 nëntor të vitit 1938. Ndërsa në 28 nëntor të vitit 1955 lindi komandanti legjendar, Adem Jashari.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.