3 vite luftë Rusi–Ukrainë, Rama: “Autopiloti” i SHBA është fikur, Europa të reflektojë thellë

Edi Rama iu drejtua të hënën samitit

Europa duhet të ndryshojë qasje për sa i përket Ukrainës dhe të tregohet më diplomatike për zgjidhjen e konfliktit të saj me Rusinë.

Me këtë mendim, kryeministri Edi Rama iu drejtua të hënën samitit me liderët e botës të thirrur në Kiev me rastin e trevjetorit të nisjes së luftës Rusi–Ukrainë.

Kreu i qeverisë tha se zgjidhja e konfliktit nuk mund të jetë më vetëm përmes një skenari ushtarak.

Më duket që pas gjithë takimeve të deritanishme nuk ka ndodhur asgjë. Mua më duket se ky takim është si një përsëritje e takimit të para tre muajve, një viti apo dy viteve. Mendoj që po ndodh diçka e rëndësishme dhe pyetja është si Ukraina do të mbështetet në mënyrë efikase dhe sa mundet të gjithë ne – ju kërkoj ndjesë, sepse këtu flitet pikësëpari për vendet e Bashkimit Europian, jo Shqipërinë – Europa si kontinent, të jetë më eficiente në mbrojtjen e vetvetes dhe të dalë sa më mirë nga negociatat që po ndodhin mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Nuk jam i sigurt që flitet vetëm për rritjen e mbështetjes ushtarake apo shpenzimeve ushtarake,” u shpreh z. Rama.

Një ditë më parë, kryeministri mbajti një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ku kërkoi që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve SHBA–Rusi për çështjen. Detajet e saj ai i përsëriti gjatë fjalës së tij nga interneti.

Sipas meje, kontinenti i Europës duhet të kalojë në fazën e gjatë të diplomacisë, ku të përfshihet Britania e Madhe, Turqia dhe pa dyshim Bashkimi Europian. Të mbajë një pozicion, sepse kam frikë se nuk do të mbrohet dot para opinionit publik, sidomos në anën perëndimore të kontinentit, që të vazhdohet të thuhet ato që po themi këtu, ndërkohë që SHBA-ja dhe Rusia arrijnë marrëveshje dhe Ukraina lihet jashtë ose i detyrohet diçka që mund të jetë totalisht e padrejtë. Pra, kemi një kohë të gjatë që kemi qenë nën drejtimin e ‘pilotit automatik’ të Amerikës. Tani ‘piloti automatik’ duket sikur është fikur dhe nuk dihet për sa gjatë. Besoj se është koha të kemi një reflektim më të thellë dhe të drejtë se ç’duhet bërë për sa i përket mbështetjes dhe shpenzimeve ushtarake,” deklaroi kryeministri.

Shefi i ekzekutivit paralajmëroi se mosndryshimi i qëndrimit ndaj Ukrainës nga politika europiane do të fillojë të reflektohet keq te opinioni publik.

Përsëris se ne jemi plotësisht në krah të Ukrainës dhe pa dyshim që mbështesim çdo vendim që ‘të rriturit’ në këtë hapësirë do të marrin. Ka disa dyshime për faktin që këtu po flasim vetëm për gjysmën e historisë dhe po merremi vetëm me gjysmën e probleme, që është ana ushtarake, dhe jo gjysmën tjetër, që është politika dhe diplomacia.

Kam frikë se po të vazhdojmë kështu, herët a vonë sidomos vendet perëndimore do të përballen me opinionet publik që mund t’i çojnë gjërat në kolapsin e plotë të forcave demokratike,” u shpreh z. Rama.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.