3-vjetori/ Libani përkujton mbi 220 viktimat e shpërthimit në BejrutLibani shë…
3-vjetori/ Libani përkujton mbi 220 viktimat e shpërthimit në Bejrut
Libani shënoi të premten përvjetorin e tretë të shpërthimit tragjik me mbi 220 viktima në kryeqytetin e vet, Bejrut.
Ngjarja e 4 gushtit 2020 nisi si pasojë e zjarrit në një depo me materiale kimike brenda portit të anijeve.
Shpërthimi ishte i fuqishëm, sa gati 7 mijë persona morën plagë të ndryshme, ndërsa dëmet në prona ishin të pallogaritshme.
Hetimet për ngjarjen janë pezulluar herë pas here për arsye ligjore, ndërsa familjarët e viktimave thanë se të premten do të marshonin drejt portit në shenje proteste.
“Kjo është një ditë përkujtimi, hidhërimi dhe proteste kundër shtetit libanez, i cili e politizon kauzën tonë dhe ndërhyn te gjyqësori,” tha Rima al-Zahed për agjencinë franceze të lajmeve AFP, motra e njërit prej të vrarëve më 4 gushtin e tre viteve më parë.
Në dhjetor të vitit 2020, kryehetuesi i çështjes, Fadi Sawan, akuzoi ish-kryeministrin Hassan Diab dhe tre ish-ministra për shpërdorim detyre.
Edhe pasardhësi i tij, kryehetuesi Tarek Bitar, ka apeluar për heqjen e imunitetit të deputetëve ish-ministra të kohës kur ndodhi ngjarja, ndërsa Ministria e Brendshme e Libanit ka refuzuar të nxjerrë urdhërarrestet e kërkuara.
Human Rights Watch, një organizatë që monitoron respektimin e të drejtave në botë, njoftoi se mbi 300 organizata simotra dhe individë, të mbijetuar, familjarë të viktimave, njoftoi se i kanë dërguar përsëri një letër Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke i vënë në dijeni se tre vite ndërhyrje politike të vazhdueshme e kanë cenuar hetimin dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.