33 vite nga rihapja e Xhamisë së Plumbit/Rihapja e aktivitetit fetar islam në Shkodër u bë me 16 nëntor 1990
16 Nëntori i vitit 1990 është një ngjarje e shënuar për Shkodrën pasi në këtë datë do të shënohej rihapja e Xhamisë së Plumbit, një prej objekteve më të rëndësishme të besimit islam.
Nga 1127 xhami që ishin në vitin 1967, vit kur Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë, në vitin 1990 numëroheshin vetëm disa. Disa nga hoxhallarët më të shquar do të burgoseshin dhe pushkatoheshin nga sistemi totalitar.
Në fjalën e hapjes, hirësia e tij Hafiz Sabri Koçi, më pas kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas komunizmit, do të vinte në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri dhe në çdo kohë.
Ai, pasi do të falënderonte Zotin për mirësitë e tij të panumërta, do të vlerësonte lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj funksionale. Nga xhamia e Plumbit do të dëgjohej për herë të parë thirrja e ezanit pas shumë vitesh nga mbyllja e besimit.
Ajo krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, ishte një dritë shprese për besimtarët muslimanë në Shqipëri. Po atë ditë do të vendosej rithemelimi i Komunitetit Musliman të Shqipërisë.