“3D”/ Kikia: Berisha nuk mbledh dot njerëz për protesta. Qytetarët janë të lodhur
Në një kohë kur situata politike në vend mbetet e tensionuar, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar për protesta, e madje deri në mosbindje civile.
Në studion e emisionit “3D” në RTSH, analisti dhe gazetari Mentor Kikia tha se protestat nuk janë më një opsion në politikë dhe se duhet një qasje e re. Sipas tij, opozita nuk mbledh dot më qytetarë në protesta, teksa shtoi se ka rënë besimi te politika.
“Opozitës nuk i shkojnë njerëz përveç atij grupit që janë mbështetësit besnikë sepse qytetarët janë lodhur, sepse kanë mbetur pak qytetarë të denjë për të dalë në protestë sepse në protestë dalin të rinjtë, energjikët. Besimi i qytetarëve te politika, në daç maxhorancë në daç opozitë ka rënë në atë shkallë sa është sakrificë e madhe të harxhosh qoftë edhe kohën të shkosh në një tubim proteste. I kemi parë se si në mënyrë sistematike tubimet ishin ‘sot do rrëzojmë qeverinë, nesër do rrëzojmë qeverinë’, vinin bënin ekskursion edhe iknin”, tha Kikia.