40 gjyqtarë të rinj i shtohen sistemit gjyqësor shqiptar
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpërndau të premten për në gjykatat e rretheve 40 gjyqtarë të rinj, të cilët kanë përfunduar Shkollën e magjistraturës në vitin akademik 2022-2023.
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami pati një porosi për gjyqtarët e rinj, me thelb drejtësinë për qytetarët. Ajo u kujtoi se gjithçka çfarë ata kanë arritur, nuk ka lidhje me asnjë mbështetje politike.
Zonja Llagami bëri edhe një panoramë të situatës aktuale të sistemit gjyqësor në vend. Ajo tha se KLGJ i është përgjigjur kërkesave të sistemit, pas largimit të dhjetra gjyqtarëve nga procesi i rivlerësimit.
Gjyqtarët e rij bënë edhe betimin me dorë mbi Kushtetutë, duke u angazhuar për korrektësi dhe drejtësi në punën e tyre.
Që prej vitit 2016 kur ka nisur pricesi i vetingut mbi 360 gjyqtarë dhe prokurorë publikë janë shkarkuar apo larguar nga detyra.
Vendosja e gjyqtarëve të rinj do të plotësojë boshllëqet që kanë krijuar vështirësi në dhënien e drejtësisë.
Llogaritet se ka 120 mijë dosje stok për shkak të gjyqtarëve të shkarkuar nga vetingu.