44 vite lulishtar/1 maj për punëtor si Tonini
I mbetur në moshë të vogël jetim, Tonin Kavaja nisi të kujdesej për familjen që herët. Ishte vetëm 15 vjeç kur kërkoi punë për herë të parë. Në atë kohë Enver Hoxha do vinte për të inspektuar rindërtimet e shtëpive te bëra pas tërmetit të vitit 1979 në fshatin Trush, ndaj edhe lulishtja në qendër duhej të përfundonte brenda 24 orëve. Në këto kushte Tonini u pranua që të ndihmonte si ndihmës. Që nga ajo kohë e deri më sot Tonini nuk iu nda punës.Në 44 vite ka formësuar thuajse çdo lulishte në fshat e qytet. Kohët kanë ndryshuar, Sëbashku me modernizmin e mjeteve të punës, Tonini tregon se fatkeqësisht ka ndryshuar edhe përceptimi për të bukurën, ku gjithnjë e më pak po kujdesen për lulishtet. Bahçet që ka patur Shkodra rrallë i gjeje në ndonjë qytet tjetër thotë Tonini. Këtë fund viti Tonini del në pension. Pengu më i madh për të mbetet shpërfillja që të rinjtë i bëjnë këtij zanati. Ky është 1 maji i fundit përpara daljes në pension. Por Tonini thotë se do vijojë të punojë privatisht deri sa të ketë shëndet. Dhe dita e punëtorëve më shumë se askujt i duhet uruar Toninit i cili për thuajse gjysëm shekulli nuk ndali asnjëherë së punuari….