45-vjeçari shkon në spital i plagosur – Policia: Mond Gjoka është vetëplagosur, ka një plumb në këmbë

Një 45-vjeçar është paraqitur i plagosur me armë zjarri në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës.
Rasti është regjistruar pak pas mesnate, ndërsa i dëmtuari është shtetasi Mond Gjoka, banues në fshatin Rraboshtë.
Ai ka marrë një plagë në këmbës dhe pasi mori ndihmën e parë mjekësore në urgjencën e Lezhës është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore nga ku bëhet e ditur se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia e cila nisi hetimet në lidhje me rastin bën më dije se nga veprimet paraprake dyshohet se 45-vjeçari Mond Gjoka është vetëplagosur me armë zjarri pranë një lokali në fshatin Gryk Zezë të Lezhës.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut si dhe për dokumentimin ligjor të këtij rasti, për të parë nëse ka patur ndonjë konflikt mes personave të tjerë dhe 45-vjeçarit i cili paraprakisht nuk rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penal.