50-vjetori i krijimit të bazës së Shëngjinit, Ndreu: Na duhet muzeu, aset turistik
Në 50-vjetorin e krijimit të bazës ushtarake detare në Shëngjin, ish-ushtarakët që kanë shërbyer në këtë vend kërkojnë rikthimin e saj në funksionalitet, në mbrojtje të kufirit detar.
“Dikur flota detare, sot forca detare, kushdo që të jetë emërtimi, ne jemi ata të cilët kemi lindur këtu në misionet dhe detyrat që na ka dhënë atdheu dhe do të vazhdojmë ta kemi në forma dhe kontribute të ndryshme. Prezenca e uniformës në Shëngjin do të jetë gjithmonë,” deklaroi ish-komandanti i bazës detare të Shëngjinit, Ndue Jaku.
“Aq sa qëndroi kjo bazë i shërbeu më së miri mbrojtjes së kufijve detarë të vendit tonë, por për mua është e domosdoshme të ketë forcë mbrojtëse dhe që baza të qëndrojë si bazë,” thotë Mhill Marku, ish-punonjës i bazës detare të Shëngjinit.
Për autoritetet lokale, historia e gjatë e bazës detare të Shëngjinit duhet të shpaloset edhe në një muze.
“Shëngjini identifikohet me detarinë dhe në shërbim të kësaj ne duhet të bëjmë një muze për t’i dhënë Shëngjinit një aset më shumë në aspektin e turizmit,” shprehet kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Sheshi kryesor i Shëngjinit do të mbajë emrin “Marinari”, ndërsa u vendos dhe një bust me të njëjtin emër.