6 shtete të ish-Jugosllavisë do rindërtojnë barakat e kampit të Aushvicit
Gjashtë shtete të ish-Jugosllavisë kanë rënë dakord të rinovojnë barakat e kampit nazist të Aushvic-Birkenaut, ku gjatë Luftës II Botërore u dërguan gati 20 mijë jugosllavë.
UNESCO njoftoi të enjten se pas 14 vitesh negociata Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia dhe Sllovenia arritën marrëveshjen.
Pjesë e rinovimit do të jetë Blloku 17, në të cilin do të instalohet një ekspozitë e përhershme mbi holokaustin në ish-Jugosllavi, ku rreth 66 mijë nga 80 mijë hebrenj gjetën vdekjen.
Bisedimet mes shteteve ish-jugosllave nisën në vitin 2010, por shpeshherë u devijuan “nga ndryshimet në qeveri dhe tensionet e momentit” ndërmjet tyre, tha një diplomat i agjencisë së OKB-së për kulturën.
“Bashkëpunimi për bllokun 17 nuk është vetëm për çështje materiale, por edhe një detyrim moral për ata, fatet e të cilëve u përcaktuan brenda atyre mureve. Viktimat jugosllave në kampet e vdekjes meritojnë të flitet për ta, për memoriet dhe fatet tragjike, që kurrë nuk janë harruar,” tha ministrja malaziase e Kulturës, Tamara Vujoviq (o. Vujovic) nga selia e UNESCO-s në Paris.
Të shtunën shënohet 79-vjetori i Çlirimit të Aushvicit, kampi që Gjermania naziste ndërtoi pas pushtimit të Polonisë. Në kampin te qyteti i Ozviecimit humbën jetën një milion hebrenj europianë në vitet 1940–45, bashkë me rreth 80 mijë polakë, 25 mijë romë dhe 20 mijë ushtarë sovjetë. /TTI https://www.timesofisrael.com/six-former-yugoslavia-nations-to-renovate-barracks-at-auschwitz/