65 vjet Radio Kukësi, Hallaci: Universitet i vogël i gazetarisë në verilindje
Më 16 tetor shënohet 65-vjetori i krijimit të Radio Kukësit dhe vetëm dy ditë më pas, më 18 tetor, shënohet edhe 5-vjetori i krijimit të Televizionit të Kukësit.
Kryeredaktori i RTSH Kukësit, Jonuz Hallaci, i ftuar në “Mirëmëngjesi Shqipëri” deklaroi se Radio Kukësi ka pasur një sërë sfidash në rrugëtimin 65 vjeçar, por informimi i qytetarëve, ka qenë dhe mbetet përherë misioni i saj.
Hallaci theksoi se Radio Kukësi është një universitet i vogël i gazetarisë në verilindje.
“Radio Kukësi është një universitet i vogël i gazetarisë në verilindje. Misioni ynë të mbajmë dëgjuesin, të thithim brezin e ri, ta shkëpusim nga rrjetet sociale.
Misioni ynë, Radio të mos shuhet, identifikuese e qytetit. Është Radio magjike”, deklaroi ai, teksa shtoi se më 16 dhe 18 tetor do të ketë festë për nderimin e figurave të cilat kanë kontribuuar dhe vijojnë të japin kontributin e tyre për Radion dhe Televizionin e Kukësit.
“Do kemi ditë vlerësimi për njerëzit që kanë kontribuar në Radio dhe Televizion. Kemi planifikuar bashkëpunime edhe me drejtorinë e përgjithshme të RTSH. më 18kemi një dirë feste ku do nderojmë ish-punonjës, do rikthehen shumë prej atyre që kanë kaluar një pjesë të bukur të jetës në Kukës dhe Radio Kukësin”, shtoi Hallaci.
Ndalur te sfidat me të cilat është hasur Radio Kukësi në nisje të rrugëtimit për informim dhe për të qenë zëri i qytetarëve, ishte mungesa e personelit dhe bombardimi më pas i stacioneve të RTSH-së në brezin kufitar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
“Mungonte personeli. Në Shqipëri nuk kishte gazetarë të mirëfilltë sidomos në Kukës. Nuk kishte personelin inxhiniero-teknik.
Ata kanë bërë revolucion shkencor, kanë shpikur, antena, që vala të shkonte kudo atje. Teknikët e Radio Kukësit janë pajisur me pasaporta të tjera dhe kanë kaluar në ish-Jugosllavi për të marrë sinjalin e RTSH dhe Radio Kukësit që njerëzit në Kosovë të rroknin valën.
Kjo hakmarrje u bë në ’99 nga forcat policore dhe ushtarake serbe që kanë bombarduar stacionet e RTSH në brezin kufitar që valët e RTSH dhe Radio Kukësit të mos depërtonin. I vetmi burim që njerëzit besonin, gjenin shpresën e këputur ishte nëpërmjet Radio Kukësit.
Në 100-200 mijë të dëbuar që ndodheshin në Kukës në atë kohë, sepse 500 kanë kaluar gjithsej, unë kam shpërndarë dhe radio të vogla. Ishte bërë mjet shpëtimi, mjet shprese. Radio Kukësi është një universitet i vogël i gazetarisë në verilindje”, deklaroi Hallaci në fjalën e tij.