65-vjetori i Radio Kukësit, Majko: Qytete pa radio edhe ka, por jo radio pa qytet
“Mund të kesh një qytet pa radio, por jo radio pa qytet” – kështu u shpreh të premten deputeti Pandeli Majko me rastin e 65-vjetorit të Radio Kukësit.
Z. Majko ishte kryeministër në kohën e trazuar të fundviteve ’90, kur Kukësi u bë një nga qytetet mikpritëse të mijëra shqiptarëve të Kosovës të larguar nga vendi prej luftës.
“Unë ndihem shumë i emocionuar të flas në një moment të veçantë të qytetit, sepse 65-vjetori i një radioje në një qytet si Kukësi nuk është thjesht një 65-vjetor formal i një protokolli të caktuar që kanë institucionet. Radioja është një cilësi e veçantë e një qyteti. Mund të kesh qytet pa radio, por jo radio pa qytet. Mendoj se krijimi i radios ishte domethënës për krijimin e një nukli poetësh, gazetarësh, shkrimtarësh, njerëzish që venin e vinin dhe lidhnin jo vetëm fijen e lajmit, por edhe të mendimit, inteligjencës, që nuk i ka munguar asnjëherë kësaj zone dhe kësaj radioje,” u shpreh z. Majko.
Aktivitetin e shënuar e përshëndetën disa personalitete të medies dhe diplomacisë.
Një fjalë përshëndetëse për 65-vjetorin e Radio Kukësit e mbajti edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nikolas Abot (o. Nicholas Abbott), i cili iu drejtua publikut në gjuhën shqipe.
“Dua t’ju falënderoj për ftesën sot. Unë nuk kam ardhur me një fjalë të rastit sot, por dua t’ju uroj për këtë moment, për 65-vjetorin. Dua t’i uroj Radio Kukësit, por edhe RTSH, edhe 100 vjeç,” u shpreh ambasadori Abot.