70- vjeçari u vra nga fqinji / Dyshohet se Xhemal Zeqiri ka vrarë shtetasin Musa Bajraktari me sakicë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e enjte Postribën por edhe Shkodrën. Një shtetas 70- vjeçar, i identifikuar si Musa Bajraktari, është gjetur i pajetë në një kanal në fshatin Boks. Fillimisht, policia e Shkodrës njoftoi se vdekja ishte natyrale.
Mëngjesin e kësaj të premteje, është mësuar se vdekja e të moshuarit, nuk ka qenë për shkaqe natyrale. Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari Xhemal Zeqiri, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (sakicë), në kokë, shtetasin Musa Bajraktari, i cili për shkak të goditjes, ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet i pajetë më pas.
Siç është zakoni, familja e viktimës ka hapur dyert e mortit. Shtëpia e autorit të ngjarjes së rëndë, ruhet nga një makinë policie, meqenëse dy familjet e përfshira në këtë ngjarje, janë fqinje. Banorët e zonës, e kanë marrë vesh ngjarjen vetëm mëngjesin e sotëm, teksa kanë parë policinë por edhe mediat…
Ajo çfarë mbetet për tu sqaruar nga policia, janë motivet që shtynë autorin të vriste me mjet prerës 70- vjeçarin. Për fqinjët e tij, viktima ka qenë një person jo problematik, familjar dhe nuk ka krijuar asnjëherë asnjë lloj problemi.