“8 Marsi” i grave me probleme, insitucionet qendrore dhe vendore duhet të bëjnë më shumë për këtë kategori
Në qytetet e vogla e zonat rurale, gratë e grupeve të marxhinalizuara preken me së shumti nga mungesa e vëmendjes dhe shërbimeve ndaj tyre. Kjo situatë duhet ndryshuar dhe institucionet vendore e qendrore duhet të bëjnë më shumë. Kjo është kërkesa e Suela Lales, një grua me aftësi të kufizuara të cilën jeta e ka përballur me shumë sfida.Pavarësisht vështirësive, ajo është angazhuar në një nismë që fuqizon gratë e grupeve të marxhinalizuara në Lezhë e Kurbin dhe ka shfrytëzuar ditën ndërkombëtare të gruas për të përcjellë shqetësimin dhe mesazhet e nevojshme drejtuar institucioneve. Suela Lala thotë se është e nevojshme që gratë të informohen, pasi harresa ndaj tyre, mungesa e punësimit dhe mos përfshirja e tyre në shoqëri u shkakton atyre më shumë varfëri dhe sfida për jetën, ndaj u duhet dhënë atyre më shumë akses në përditshmëri.
Falë mbeshtetjes së UNDP, Suela Lala dhe fondacioni së bashku, do të vijojnë të jenë prezente në Lezhë e Kurbin me takime informuese dhe rritjen e ndërgjegjësimit ndaj grave dhe vajzave nga kategori sociale vulnerabël e sidomos ato me aftësi ndryshe.