8 Shtatori/ Maqedonia e Veriut feston 32-vjetorin e Pavarësisë
Maqedonia e Veriut feston sot Ditën e Pavarësisë, 8 Shtatorin e vitit 1991 kur vendi u nda me referendum nga ish-Jugosllavia.
Në vitin 1993, Maqedonia u bë pjesë e Kombeve të Bashkuara nën emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”. Emrin e ndërroi sërish në vitin 2018 pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Greqinë, duke u quajtur përfundimisht “Republika e Maqedonisë së Veriut” (RMV).
Tashmë maqedonasit janë në përbërje të NATO-s që nga viti 2020 dhe synimi është të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
“Para 32 vitesh, me shumicë votash të mbi 95 për qind të qytetarëve, u realizua amaneti për shtetin tonë të pavarur maqedonas për brezat pas nesh, zë që jehon nga Ilindeni i vitit 1903 dhe KAÇKM 1944. Tridhjetë e dy vjet më vonë, para nesh është zëri i qytetarëve në përcaktimin shumicë prej 80 për qind për jetën në Europë, në Bashkimin Europian, por në Republikën e Maqedonisë së Veriut,” u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski (Kovacevski) të enjten gjatë një aktiviteti solemn.
Brezat e sotëm, tha ai, e kanë për obligim të vazhdojmë idenë shekullore të përparimit.
“Ky është një shans që vjen në një kohë kur RMV-ja është një vend i themeluar ndërkombëtarisht, një vend që sigurisht është në rrugën drejt BE-së, me kufij të siguruar, me gjuhë dhe identitet maqedonas të njohur, një vend që është shembull i një demokracie të suksesshme multietnike, e cila kontribuon në paqen rajonale dhe evropiane, si shtet i lirë dhe sovran, anëtar i NATO-s, vend që me siguri është në rrugën e tij drejt BE-së,” tha kryeministri Kovaçevski.