841 familje të “26 nëntorit” pa bonus qiraje/ S’ka fonde, familjet e prekura nga tërmeti në Kurbin humbën banesat
Pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, vazhdojnë të jenë evidente, të paktën në zonën e Kurbinit. Prej 7 muajsh 841 familje që vijojnë të mbeten në qiell të hapur pasi tërmeti iu shkatërroi shtëpiat, nuk marrin as bonusin e qirasë. Banorët thonë se askush nuk u jep përgjigje për situatën e rëndë të krijuar, ndërsa po i nxjerrin edhe nga shtëpitë ku jetojnë aktualisht, pasi nuk kanë mundësi të paguajnë qiranë mujore. Të gjendur në mes të katër rrugëve, në kuptimin e plotë të fjalës, banorët kërkojnë zgjidhje nga institucionet e shtetit…Bonusi i qirasë për familjet që mbetën të pastrehë në zonën e Kurbinit nga tërmeti i 4 viteve më parë, arrin në 15 milion lekë. Burime nga Bashkia Kurbin bëjnë me dije se prej muajit prill, ky fond nuk është akorduar nga qeveria shqiptare përmes dikasterit të linjës. Qeverisja vendore nuk i ka aftësitë financiare për të përballuar me fondet e veta këtë pagesë.
Kurbini ishte një ndër zonat më të goditura nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019. Ai la të pastrehë rreth 2 mijë familje. Aktualisht, më shumë se gjysma janë sistemuar në shtëpitë e reja, të ndërtuara falas nga shteti. Procesi i rindërtimit me fondet e qeverisë dhe donatorëve vendas e të huaj, po vazhdon.