85 mld lekë detyrime të papaguara, OSHE skema lehtësuese për debitorët deri në fund të vitit 2024
Skemat e aktmarrëveshjeve për shlyerjen e detyrimeve të papaguara të faturave të energjisë të cilat kanë nisur zbatimin prej datës 3 prill, janë mirëpritur nga klientët debitorë të kompanisë OSHEE Group, të cilët kanë mundësi të paguajnë me këste lehtësuese këto detyrime.
Furnizuesi i Shërbimit Universal, FSHU, pjesë e kompanisë OSHEE Group, vlerëson se deri më tani janë 677 aktmarrëveshje të firmosura me klientët debitorë ku më shumë se 50% e këtyre i përkasin kategorisë së klientëve familjarë që kanë shlyer detyrimin njëherësh me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesave në masën 70%.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh. Ndërsa kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh.
Në skemat e aktmarrëveshjeve që do të zbatohen gjatë këtij viti, do të përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëm ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive që i përkasin vitit 2023 e në vijim.
Sot niveli i debisë, faturat e papaguara arrijnë në shumën 85 mld lekë, ku prej tyre 25 mld lekë është borxhi ndër vite që institucionet publike, bashkitë ujësjellësat, ministritë, kopshtet i kanë OSHEE group, pjesa tjetër i përket familjarëve.
Në vitin 2023 OSHE ka arkëtuar një nivel prej 99.3%, krahasuar me 98% të arritur në vitin 2022, në raport me 75% që ka qenë vite më parë ku dhe niveli i borxhit është akumualur me ritëm të shpejtë.
OSHEE Group i bën thirrje të gjithë klientëve që kanë detyrime të papaguara ndaj kompanisë, që të lidhin aktmarrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste, në të kundërt do të jenë në listën e debitorëve të cilëve do tu pritet energjia.