85 vjet Radio Tirana, Drejtori i RTSH-së, Peza: Radio nuk vdes kurrë. Do ta çojmë përpara duke e modernizuar
Media e parë dhe më jetëgjatë në Shqipëri, Radio Tirana feston sot ditëlindjen e saj të 85-së. Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e RTSH-së, Drejtori Alfred Peza e vuri theksin te nevoja për të ruajtur traditën, por edhe te domosdoshmëria për ta çuar përpara Radio Tiranën duke e modernizuar.
Këtë 85-vjetor, Drejtori Peza e konsideroi një moment emocionues, teksa u shpreh se Radio Tirana është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe Universiteti i parë i gazetarisë moderne shqiptare.
“Është një moment emocionues sepse na jep mundësinë që nga kjo lartësi e këtyre viteve të bëjmë një retrospektivë të të gjithë punës dhe rëndësisë që ka ky institucion për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e gjuhës shqipe, këngës shqipe, e traditave dhe zakoneve të ruajtura në arkivat që janë edhe pasuria më e madhe e këtij institucioni, pjesë e identitetit tonë kombëtar.
Radio Tirana është Universiteti parë i gazetarisë moderne shqiptare dhe ajo ka ditur ta ruaj këtë vlerë duke qenë shkolla më e madhe e gazetarisë shqiptare, trajtimin e fjalës në standardin e gjuhës shqipe, por edhe të ruajtjes së trashëgimisë dhe ne do bëjmë gjithçka që këtë vlerë historike ta ruajmë, ta pasurojmë dhe t’ia trashëgojmë brezave”, u shpreh Peza.
Radio nuk vdes kurrë, theksoi Drejtori i RTSH-së, teksa shprehu përkushtimin për t’ia lënë brezave në mënyrë moderne. Peza bëri me dije se të gjitha studiot e Radio Tiranës janë modernizuar, teksa shtoi se është një nga 3 televizionet publike të Evropës që ka filluar edhe transmetimet në podcast-e
“Radio nuk vdes kurrë dhe ne do bëjmë gjithçka për t’ia lënë brezave në mënyrë moderne pasi teknologjia ndryshon, por fjala mbetet e njëjtë. Ajo ka forcën, magjinë, por dhe bukurinë patjetërsueshme gatuar bashkë me 36 germat e arta të gjuhës shqipe. Ne po mundohemi ta çojmë përpara këtë stafetë duke e modernizuar. Jam krenar t’iu them se të gjitha studiot e Radio Tiranës janë të ridimensionuara të rivitalizuara. Jemi krenarë sepse jemi një nga 3 radio televizionet publike të Evropës që kemi filluar transmetimet në podcast-e si një nga mediumet e reja pjesë e dinamikës së zhvillimit të radios si medium. Kemi filluar punën për ta çuar përpara këtë trashëgimi duke shkuar te teknologjia dhe gjenerata e digjital radios, që është gjenerata më e re e radios që e bën atë një medium të pavdekshëm”, theksoi Peza.