94-vjeçari, Muhamet Sokoli në “Histori Sportive” / Veterani i basketbollit shkodran rrëfen karrierën e pasur sportive

Më 16 shkurt, Klubi Sportiv Vllaznia mbush plot 106 vite nga formimi i tij duke qënë klubi i parë sportiv që formohet në Shqipëri.
Në përkujtim të kësaj date të shënuar, emisioni “Histori Sportive” në RTSH Shkodra, u ndal tek një personazh shumë i njohur i sportit shkodran, veterani i nderuar i sportit të basketbollit, Muhamet Sokoli.
Sot, kur ai mban mbi supe plot 94 vite, ai risjell në vemendje fillimet e karrierës së tij sportive, të cilat përkojnë me klubin Tirana duke qënë se aso kohe familja e tij jetonte në Tiranë, për të vazhduar më pas edhe me Partizanin, klube këto, me të cilat fitoi plot shtatë tituj kampion.
Ndërkohë që rikthimi në Shkodër është një etapë tjetër e ndritur e karrieres së tij sportive, jo vetëm si basketbollist, por edhe si trajner i Vllaznisë për meshkuj dhe femra, për të vijuar edhe në kontributin si mësues i edukimit fizik në shkollat e qytetit të Shkodrës.
Pjesë e këtij emisioni ishte edhe Dhurata Sokoli, e cila, jo vetëm si shoqe e jetës, por edhe bashkëudhëtare e karrieres sportive të bashkëshortit të saj, e cila plotësoi me kujtimet e saj ecurinë e karrieres sportive të Muhamet Sokolit.