A do kërkojë njohjen e Kosovës nga Kievi? Osmani: E bindur se ai moment do vijë së bashku me fitoren e Ukrainës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur të mërkurën në Pallatin e Kongreseve, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) për punimet e Samitit “Ukraina–Evropa Juglindore”.
Në një deklaratë për mediet, Osmani shprehu mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës dhe kundër luftës së Rusisë.
Në këtë drejtim, ajo bëri me dije se në Samit do të flasë për hapat konkretë që Kosova po merr në bashkëpunim edhe me aleatët.
“Jemi këtu për të mbështetur Ukrainën kundër veprimeve ilegale të Rusisë, duke vendosur sanksione, duke mbështetur qytetarët e Ukrainës, ushtrinë e Ukrainës. Sot do flas për hapat konkretë që Kosova po merr në bashkëpunim me aleatë. Do jemi këtu deri në njohjen e Ukrainës”, tha Osmani.
Kjo e fundit u pyet nga gazetarët nëse do kërkojë nga Ukraina njohjen e Kosovës. Osmani u shpreh se e ka bërë dhe do vijojë të kërkojë njohjen e Kosovës, ndërsa shprehur bindjen se ai moment do të vijë së bashku edhe me fitoren e Ukrainës.
“Këto janë çështje bilaterale. ne e kemi bërë dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte. Jam e bindur se ai moment do të vijë së bashku me fitoren e Ukrainës”, tha ajo.