Abakarov ndalet në çerekfinale, indiani Aman-Aman i thyen ëndrrën për medalje
Zelimkhan Abarakov nuk ia del të sigurojë një vend mes katër më të mirëve të botës në disiplinën e mundjes së lirë për peshat 57 kg në “Paris 2024”. Mundësi kuqezi u eliminua nga indiani Aman Aman në çerekfinale me shifraat 12-0.
Abakarov arriti të fitojë ndeshjen e mëparshme ndaj rivalit nga Guinea-Bisau, Diamantino Iuna Fafe duke siguruar një vend mes tetë më të mirëve të botës në disiplinën e mundjes së lirë për peshat 57 kg, por u ndal nga indiani Aman-Aman.
Shqipëria përfaqësohet në Lojërat Olimpike, “Paris 2024” në disiplinën e mundjes nga tre sportistë të huaj të natyralizuar si shqiptarë. 31-vjeçari Zelimkhan Abakarov, i cili sot u kualifikua për në çerekfinale, është i pari mundës që i ka dhënë Shqipërisë vendin e parë në botë dy vite më parë, ndërsa në Paris kërkon të fitojë medaljen e parë olimpike për vendin tonë.
Ditën e nesërme mes orës 11:00-13:30 është radha e rusit tjetër, Chermen Valiev që përfaqëson Shqipërinë. 26-vjeçari Valiev mposhti në turin kualifikues për në Francë një kampion olimpik ndërsa kërkon në Paris një medalje olimpike.
Të shtunën më 10 gusht, garimin për Shqipërinë e mbyll Islam Dudaev, mundësi tjetër i cili ka treguar një ecuri pozitive dhe kërkon të jetë në zonën e medaljeve.
Në lojërat olimpike “Paris 2024”, Shqipëria është përfaqësuar nga tetë sportistë, 4 me normë olimpike dhe katër me ftesë. Ndërsa vlen të theksohet se Luiza Gega, Franko Burraj, Manjola Konini, Grisi Koxhaku dhe Kaltra Meça nuk lanë gjurmë në këtë event. Në gjithë historikun e pjesëmarrjeve në Lojërat Olimpike, Shqipëria nuk ka siguruar ende një medalje.