Abissnet Superiore / Vllaznia-Dinamo në RTSH Shkodra, 5 ndeshje në të njëjtin orar në RTSH, kanalet ku transmetohen

Kanë mbetur edhe 3 javë nga përfundimi i kampionatit Abissnet Superiore dhe lufta në të gjitha frontet është më e hapur se kurrë. Egnatia dhe Dinamo janë dy skuadrat që kanë siguruar një vend në Final 4, ndërsa Vllaznia, Partizani dhe Elbasani garojnë për 2 vendet e mbetura.
Më e bukur se kurrë është lufta për mbijetesë me 5 skuadra, që mundohen të qëndrojnë në elitën e futbollit shqiptar edhe sezonin e ardhshëm. 3 pikë ndajnë Skënderbeun e vendit të 6-të me Laçin e vendit të fundit.
Java e 34-t, e cila do të luhet e gjitha të shtunën në të njëjtin orar (15:30) rezervon disa përballje direkte, që mund të rezultojnë vendimtare në garën për shpëtim. Në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar do të keni mundësinë t’i ndiqni të 5-ta këto takime.
Përballjen direkte Skënderbeu-Tirana mund ta ndiqni në RTSH Sport, sfidën Partizani-Egnatia në RTSH 2, ndërsa takimin Elbasani-Bylis në RTSH 3. Përballja Vllaznia-Dinamo do të transmetohet në RTSH Shkodra, ndërsa sfida Teuta-Laçi në RTSH Plus.
