Abissnet Superiore, Vllaznia pret të shtunën, Egnatian kryesuese të kampionatit
Java e 24-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet të premten dhe të shtunën. Konkretisht, të premten janë dy ndeshje, ku sfida e parë e kësaj jave do të jetë Teuta-Kukësi, në orën 16:00. Tre orë më pas, në orën 19:00, përballen në “Air Albania” Partizani-Tirana, derbi kryeqytetas, i cili si zakonisht merr vemendje shumë të madhe nga dy tifozëritë përkatëse. Tre takimet e tjera të javës së 24-të do të luhen të shtunën. Në orën 13:30 do të zhvillohen dy sfidat e para të ditës. Një ndeshje shumë e luftuar do të jetë ajo mes Laçit dhe Dinamo City, pasi të dyja skuadrat vijnë nga një moment i mirë në kampionat. Në të njëjtën orë do të luhet edhe Erzeni-Skënderbeu. Shijakasit pas tre humbjeve radhazi morën një barazim me tepër vlerë në “Air Albania” ndaj Tiranës dhe tani synojnë të rikthehen te fitorja ndaj Skënderbeut. Ndërsa korçarët mundën në shtëpi Kukësin dhe do të kërkojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitve. Java e 24-të do të mbyllet me takimin Vllaznia-Egnatia, një ndeshje që premton spektakël. Të dyja skuadrat po zhvillojnë një sezon shumë të mirë dhe në stadiumin “Loro Boriçi”, në dy kampet përkatëse janë shpalosur objektivat vetëm për fitore. Pas fitores shumë të rëndësishme me Teutën, Vllaznia ka nisur menjëherë përgatitjet për këtë sfidë, e cila përpos asaj që përballë ka skuadrën kryesuese të kampionatit, kjo ndeshje përkon edhe me përvjetorin e 105 të formimit të Shoqërisë Kulturore Sportive Vllaznia, e para e këtij lloji e formuar në Shqipëri. Ndaj, tekniku Qatip Osmani me shtabin e tij teknik është duke e karikuar skuadrën për të nxjerrë një ndeshje, ku jo vetem të arrihet fitorja tre pikëshe, por në të njëjtën kohë për të kënaqur tifozëtinë e shumë që pritet të jetë e pranishme në stadiumin “Loro Boriçi”, ku edhe sipas programit të drejtuesve të klubit kuqeblu do të ketë festime për 105 vjetorin e Vllaznisë. Në prag të javës së 24-të, tabelën e klasifikimit e kryeson Egnatia që është mysafire në “Loro Boriçi” me 48 pikë, e shkëputur me 11 pikë më shumë sesa Partizani dhe Vllaznia që mbajnë vendin e dytë dhe të tretë me pikë të barabarta, nga 37, ndërkohë që Tirana është e katërta me 34 pikë.