Açerbi, marrëveshje e zgjatur me Inter
I liruar nga drejtësia sportive në çështjen e Huan Jezus, Françesko Açerbi tanimë mund të përqendrohet vetëm në fushën e lojës dhe në të ardhmen e tij. E ardhmja do të jetë përsëri tek Inter. Tashmë ka një marrëveshje bazë për një zgjatje të kontratës deri më 2026-ën me opsionin për një tjetër sezon.
Në fakt ka qenë javë e turbullt për Acerbin, që për shkak të çështjes me Huan Jezus u largua dhe nga kombëtarja e Italisë, ndërsa nuk mori pjesë në dy miqësoret e të kaltërve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ndaj Venezuelës dhe Ekuadorit. Açerbi ka ardhur në sezonin 2022-2023 tek Inter i huazuar nga Lacio dhe më pas u bë pjesë e zikaltërve, teksa ka luajtur deri më tani 54 ndeshje e ka shënuar dy gola.
36-vjeçari ka luajtur me Sasuolon dhe Lacion, por dhe me Milan, Xhenova e Kievo, gjithnjë në Serinë A. Me kombëtaren e Italisë, ku aktivizohet prej dhjetë vitesh, ka luajtur 34 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol. E fundi i karrierës së tij duket se do të jetë tërësisht zikaltër.