Acidi derdhet aksidentalisht në lum, uji mbulohet nga shkuma e bardhë toksike
Lumi Rio Seco në Joinville në zonën jugore të Brazilit është kontaminuar me acid sulfurik duke rrezikuar jetën e banorëve që jetojnë në fshatrat përreth. Pas derdhjes aksidentale, lumi është mbuluar nga një shkumë e bardhë, ndërsa autoritetet kanë rrethuar edhe zonën që të mos lejojnë njeri që të afrohet.
Acidi sulfurik u derdh pasi një kamion që transportonte ngarkesën u përplas pranë zonës duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore, raporton BBC.
Acidi sulfurik përdoret për prodhimin e detergjenteve dhe materialeve të pastrimit të shtëpisë dhe është mjaft i dëmshëm për shëndetin e njeriut.
Lumi shërben si burim i ujit të pijshëm për lokalitetet përreth, të cilët janë paralajmëruar të mos e konsumojnë.