Administrata Biden kërkon miratimin e ndihmës për Izraelin dhe Ukrainën
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe ai i Shtetit, Antony Blinken, më 31 tetor do të dëshmojnë para Senatit, ku do të kërkojnë që të miratohet paketa e ndihmës urgjente për Izraelin dhe Ukrainën, njofton Radio Evropa e Lirë.
Kërkesa urgjente e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, në vlerë prej 105 miliardë dollarësh për këto dy shtete që janë të përfshirë në konfikte, veçse është përballur me pengesa në Kongresin e ndarë amerikan.
Sekretarët Austin dhe Blinken do të kërkojnë ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën para senatorëve, shumica e të cilëve, demokratë dhe republikanë, mbështesin ndihmën për këto dy shtete.
Por, ata përballen me probleme më të mëdha në Dhomën e Përfaqësuesve që udhëhiqet nga republikanët, ku kryetari i ri, Mike Johnson ka propozuar ndërprerjen e ndihmës për Ukrainën, në mënyrë që ndihma të përqendrohet vetëm në Izraelin.
Qasjet e ndryshme të republikanëve dhe demokratëve parashikojnë probleme në miratimin e ndihmës për Izraelin dhe Ukrainën.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka premtuar mbështetje për Izraelin, që nga 7 tetori po lufton kundër militantëve palestinezë të Hamasit. Por, presidenti amerikan ka thënë se Uashingtoni do të vazhdojë ndihmën për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga shkurti i vitit të kaluar.
Sipas Radios Evropa e Lirë.