ADN-ja e një oktapodi jep të dhëna për shkrirjen e akullit të Antarktidës 120 000 vjet më parë
Një studim i ADN-së së një oktapodi ka zbuluar se një shtresë akulli në Antarktidë ka të ngjarë të jetë shembur 120 000 vjet më parë në temperatura të ngjashme me ato të sotme, thonë shkencëtarët.
Shkencëtarët australianë dhe nga Zelanda e Re krahasuan profilet gjenetike të oktapodit të gjetur në detet Weddell, Amundsen dhe Ross në Oqeanin Jugor në Antarktidë dhe gjetën lidhje gjenetike që daton nga periudha e fundit ndërglaciale – një periudhë midis 130 000 dhe 115 000 vjet më parë e karakterizuar nga një klimë më e ngrohtë se sot, me një nivel më të lartë të detit global dhe shtresa më të vogla akulli.
Sipas studimit, të botuar në revistën ”Science”, gjetja ndihmon në përgjigjen e pyetjes së debatuar gjatë nëse Akullnaja e Antarktidës Perëndimore (WAIS) u shemb gjatë asaj periudhe.
“Kjo lidhje gjenetike do të ishte e mundur vetëm nëse një kolaps i plotë i WAIS do të ndodhte gjatë Interglacialit të Fundit, duke hapur rrugë detare që lidhin detet e sotme Weddell, Amundsen dhe Ross”, tha në një deklaratë të premten udhëheqësi i studimit Jan Strugnell nga universiteti ”James Cook” i Australisë.
“Kjo do të kishte lejuar oktapodin të udhëtonte nëpër ngushticat e hapura dhe të shkëmbente materialin gjenetik, të cilin ne mund ta shohim në ADN-në e popullatave të sotme”, tha Sally Lau, një studiuese postdoktorale.
Strugnell tha se periudha e fundit ndërglaciale ishte një periudhë kur “temperaturat mesatare globale ishin 0,5-1,5 gradë Celsius më të ngrohta se nivelet paraindustriale dhe niveli global i detit ishte 5-10 metra më i lartë se sot”.
“Ajo që e bën WAIS-in të rëndësishëm është se është gjithashtu kontribuesi aktual më i madh i Antarktidës në rritjen e nivelit global të detit. Një kolaps i plotë mund të rrisë nivelet globale të detit me diku midis 3-5 metra”, tha ajo.
“Të kuptuarit se si ishte konfiguruar WAIS në të kaluarën e afërt, kur temperaturat globale ishin të ngjashme me sot, do të na ndihmojë të përmirësojmë parashikimet e ardhshme të rritjes së nivelit global të detit”, vazhdoi Strugnell.