Adnan Dibrani, deputeti i parë kosovar në Parlamentin Europian
Shqiptari nga Kosova, Adnan Dibrani, do të jetë eurodeputeti i parë kosovar që do të ulet për pesë vitet e ardhshme në Parlamentin Europian.
Dibrani kandidoi nën siglën e socialdemokratëve të Suedisë, ku ai ka emigruar që në vitet ’90 dhe është angazhuar si qytetar aktiv.
“Ai ishte deputet në Suedi dhe gjithashtu anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,” njoftoi Besnik Tahiri, kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke ndarë edhe një foto personale me eurodeputetin e zgjedhur.
Në muajin prill, z. Dibrani u prit në Tiranë nga kryebashkiaku Erion Veliaj, bashkë me politikanin tjetër suedez me origjinë shqiptare, Arbër Gashi.
Shqiptari i datëlindjes 1985, i lindur në Mitrovicë, u zgjodh në parlamentin suedez në vitin 2014 për të përfaqësuar zonën elektorale të Hallandit.
Ai është ekonomist me profesion, ndërsa në politikë ka hyrë nëpërmjet çështjeve që lidhen me biznesin e vogël dhe taksimin. Ai është edhe pjesë e bordit të Inspektimeve në Zyrën Suedeze të Audimit. /GE